Ndue Ukaj

Ndue Ukaj
Ithaca of the word-Perkthyer nga Peter Tase

Esse letrar

Arti iShkruarit


 Ndue Ukaj            

  
1.
Në traditën e shkrimit letrar, ekziston një debat i pambarim për rolin që ka letërsia në një shoqëri. Platoni donte t'i dëbonte poetët nga shteti i tij ideal si prishës të moralit dhe ketë e bënte nga fakti se pranonte ndikimin e jashtëzakonshëm të letërsisë tek rinia, edukimi i pasioneve dhe ndjenjave të saj. Më tej, dijetari tjetër antik Aristoteli vë në spikamë katharsin si një aspekt funksional të letërsisë në shoqëri. Ndërkaq shkrimtari gjenial argjentinas Jorge Luis Borgesi, tek letërsia sheh shpirtin, andaj ja dedikon librit atributin më te madh të lumturisë njerëzore. Në këtë linjë mendimesh për artin letrar na del edhe filozofi dhe esteticienti Friedrich Hegel, i cili shkruan: "Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin, dhe epërsia e saj rrjedh nga fakti që, nëse një produkt natyror është një produkt i pajisur me jetë, ai është i vdekshëm; ndërsa një vepër artistike është një vepër që vazhdon të ekzistojë". Pra, njëfarë mënyre, nëse do synonim të interpretonim një nga esencat e shumta të botës së madhe të letërsisë, do të mund të pajtoheshim se: "vepra artistike është e përcaktuar të ndërmjetësojë midis krijuesit të saj dhe kolektivit" (Jan Mukarzhovski). Dhe pikërisht ky aspekt e bënë letërsinë një univers autonom e krejt specifik në përvojën njerëzore, që vazhdon të qëndroj e fuqishme në çdo kohë.
2.
Poesis, ky term antik aristotelian që ka kuptimin e "krijimit nga asgjëja" nëpër kohë është bërë paradigma e shkrimit imagjinativ. Në të vërtetë, shkrimi konceptohet si përjetësia, mbi të gjitha amshueshmëria e fjalëve të lidhura me kuptime filozofike e ndjesore. Në universin e pafundmë, aty ku Olimpi i magjishëm ruan pushtetin e shkrimtarit, ekziston një fije transcendentale që e bën artin letrar të përjetshëm. Shkrimtari, kjo qenie mistike, heshtur ndërton botëra të ndryshme e të shumta, mbi të gjitha specifike, të cilat njerëzimi përherë i admiron, jeton me to, ndjen e frymëzohet nga to. Shkrimtari shëmbëllen me Krijuesin, ngase ai krijon nga asgjëja, tamam si Krijuesi dhe qëndron karshi universit të pafundmë me gjuhën e orakujve, një gjuhë që ligjërimin krijues e mishëron me përvoja të shumëfishta filozofike e artistike. Shkrimtari është qenia më tipike që ndërthur të bukurën dhe të madhërishmen, të këndshmja dhe të shëmtuarën, më tragjiken e lumturinë, brenda një simbioze letrare që sfidon kohët dhe ekziston përjetshëm. Ky kontrast dramatik e bën letërsinë gjithmonë aktuale, gjithmonë të nevojshme për mendjen njerëzore, për fisnikërimin e shpirtit njerëzor, mbi të gjitha për të pastruar njeriun nga pasionet e shumta: pra për domosdonë e një katharsis të përhershëm, në të cilin aspekt letërsia ka një rol fundamental. Është libri i letërsisë ai që me fuqi autonome tejkalon konceptet e kohës dhe lidhet me pakohësi, duke përmbys ligjet e ngurta të kohës, vjetërsisë, harresës, etj. Sa më shumë ecin kohët aq më i admirueshëm bëhet Homeri, Virgjili, Dante, Shekspiri, Kafka, apo në rastin e letërsisë shqipe, Bugdani, De Rada, Mjeda, Frashri, Fishta, etj.
3.
Për shkrimtarin e madh Jorge Luis Borges, ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi, pa dyshim mbetet libri. Borgesi këtë atribut të posaçëm për librin e mbështetet në një sërë arsyesh, e mbi të gjitha, për faktin se libri ka fuqinë e shpirti. Pikërisht fuqia e shpirtit si tipar themelor, e nën substratin e së cilit qëndrojnë shumë shtresa narrative dhe stilistike, si gjuha e kultivuar dhe atributive, rrjeti imagjinativ me nuanca e prirje estetike e stilistike, e bëjnë librin e botës së letërsisë të posaçme, madje për shumë aspekte të veçantë, edhe në raport me gjitha librat tjerë të fushave të ndryshme shoqërore. Arti letrar, apo thënë ndryshe, libri i letërsisë mbetet ndër referenca themelore për emancipimin njerëzor. Letërsia gjithmonë ka influencuar dhe sot ka një funksion të fuqishëm në shoqëri. Pikërisht kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila kur konvertohet në atë që e konceptojmë shkrim letrar, krijojnë një soj lumturie të posaçme, të cilën njerëzimi vazhdimisht e kërkon, e admiron, e dashuron. Ky asociacion perceptimesh e bën letërsinë fushë superiore dhe tërësisht autonome. Këndej pari, prirja ndaj letërsisë, ndaj shkrimit letrar përgjatë gjithë gjallimit njerëzor ka qenë prirja me sublime për të bukurën dhe shëmtuarën, për të këndshmen dhe të dobishmen (Dulce et Utule), siç shkruante Horaci, për këto kategori estetike që përcjellin qenien njerëzore përherë. Nga bota e madhe dhe e pakufishme e letërsisë, shumëçka është transformuar në kulturë globale, duke mbetur letërsia, arena ku shkrihen shekuj, kultura, distanca dhe sintetizohen në atë që është e bukura, sublimja, e madhërishmja, tragjikja, etj. Prandaj, edhe në kohërat moderne ngjarjet dhe motivet që i ka përcjell letërsia, s' mund të shkëputen nga jeta, madje as pas qindra shekujsh. Kështu, rrëfimi për Luftën e Trojës dhe Homerin vazhdon të përdoret në arte e kulturë, ashtu sikurse s'mund të shkëputet përvoja njerëzore nga "Komedia Hyjnore" e Dante Aligerit, "Hamleti" i Shekspirit, apo në kontekstin shqiptar nga "Lahuta e Malcis" e At Gjergj Fishtës.
4.
Përkundër lashtësisë së saj, edhe në shekullin tonë shtrohen pyetje për letërsinë, për natyrën e saj, për funksionin e saj. Megjithë përkufizimet e shumëfishta për artin e fjalës, mbetet e vështirë të gjendet një përkufizim i kënaqshëm për atë çfarë është qenia e letërsisë. Përtej një përkufizimi të pranuar si të mirëqenë, le ta kundrojmë dhe shijojmë letërsinë si artin e shpirtit njerëzor, shtratin ku derdhen emocione dhe drithërima vibruese, dashuri dhe urrejtje të gjithfarshme, lindje dhe vrasje, paqja dhe luftëra, shkruar me një ligjërim të veçantë brenda një struktura komplekse, që quhet tekst letrar.
5.
Letërsia dhe libri që konceptohet brenda letërsisë, për shoqërinë njerëzore është kult në saje të kënaqësisë që krijon, prandaj Borgesi e përkufizon një ese të tij, "Lumturia e librit". Pra arti letrar, jashtë çdo qëllimi praktik, sikundër do të shkruante Paul Auster, lumturon shpirtin njeriut, lumturon njerëzimin dhe realizon katharsisin letrar, ajo kumton me gjuhën e orakujve të pathënat, ato që s' mund ta bëjë asnjë dije tjetër shoqërore dhe asnjë formë tjetër e komunikimit të mesazhit drejt recpetuesit/lexuesi. Mjetet e letërsisë i mungojnë edhe muzikës, filmit, pikturës, skulpturës, filmit. Nëse letërsia, në një aspekt sintetizon shpirtin njerëzor, libri i letërsisë është vetë shenjtëria e botës, memoria kolektive ku ruhen me emocione të veçanta të mirat dhe të këqijat.
6.
Nëse e marrim për bazë mendimin e Borgesit se libri është i shenjtë, dhe shtojmë se këndej pari shenjtëria e tij krijon një soj lumturi të veçantë, duhet të shtojmë edhe se libri mbetet ngushëllim i kohëve, me librin ndjejmë e bashkëndiejmë, me librin bashkudhëtojmë e bëhemi pjesëtarë të kulturave të ndryshme, bëhemi pjesëtarë të rrëfimeve të shumëllojshme, të lumturisë së pakufishme dhe tragjikes tronditëse; asociacione dhe ndjenja këto që sjellin kënaqësi të veçantë estetike, por edhe drithërima nga më të ankthshmet. Njëfarë forme libri është ngushëllim i së kaluar, memorie e saj, mbi të gjitha ngushëllim i së tashmes, një pasqyrë ku përthyen kohë, një arene ku ndeshim lumturinë që vazhdimisht dëshirojmë ta kemi në mbamendje, por edhe tragjiken që vazhdimisht dëshirojmë ta kemi në mbamendje, madje edhe nëse rrëfimi apo krijimi tragjik, krijon makth, tmerr, trishtim, lemeri, prapëseprapë s'mund të shkëputemi nga ai. Librin e letërsisë e ndjejmë, dëshirojmë ta përcjellin tek tjerët edhe në qoftë se ai ka reflekse tragjike. Është interesante të mendohet se e gjitha kultura letrare, dhe jo vetëm ajo dëshiron ta lexojë e rilexojë "Procesin" e Kafkës, edhe pse e ka parakonceptin se Jozefi K do të dënohet dhe vdes si një qen, pa ndonjë mëkat. Pra, tek ky roman lexuesi gjënë diçka nga vetja, nga rrethi, nga përditshmëria e tij. Në fund të fundit aty është një pjesë e unit të tij. Prandaj ai roman është kurdoherë aktual, i përballon kohës, sepse lidhet me amshueshmërinë. Lexuesi, qoftë ai model apo empirik i letërsisë (Umberto Eco) pikëllohet me vuajtjet Gregor Hamzës dhe sfilitet në peripecitë e tij që shkakton metamorfoza e çuditshme në horizontin e një estetike të pritjes së ankthshme. Por, përfundimi i tyre tragjikë nuk e molepsë lexuesin e pasionuar të letërsisë, përkundrazi. Më tej, nëse e marrim si shembull një nga prelat e artit botëror, dramën Hamleti, tekst ky letrar që përfaqësuar kulmin e tragjikes letrare e njerëzore, shohim se ai s'na moleps, përkundrazi na trimëron, nga bën më të fortë. Ne e duam Hamletin duke e përjetuar si fenomen universal, bashkëndjejmë me të dhe çlirohemi nga ankthet bashkë me të. Ne e ndjejmë dashurinë në këtë dramë, ashtu sikundër fajin, tragjiken e vrasjes, hakmarrjen dhe së fundi, zgjedhjen e dilemës e enigmës së vrasjes misterioze. Ndërsa, tek Charls Bodleri ndeshim modelin më të shkëlqyer te këtij konteksti, ku nga pelmi dhe krimbat krijohet estetika e tekstit, që e lexojmë me kënaqësi, edhe pse lexuesi he për he ec në tehun e tragjikes së jetës. Ndërkaq nëse këtë çështje e kontekstualizojmë brenda letërsisë shqipe, lexuesi shqiptar ka makth nga tmerret e komunizmit, por dëshiron ta lexojë letërsinë e Kadaresë, sikundër romanin "Nata me hanë", "Hija", "Përbindëshi", "Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazarekut", etj. Apo në trajtat me rrëqethëse Atë Zef Pllumin dhe rrëfimin e tij. Në memorien njerëzimit ekziston një galeri personazhesh që mbesin në mbamendje përjetësisht, qofshin edhe atëherë kur kanë elemente tragjike.
7.
Letërsia lexohet me endeje. Leximi i letërsisë mund ndryshe të kuptohet edhe si një përqafim me idetë kulturore. Letërsia më fuqinë e saj autonome të komunikimit kënaq lexuesin."Kënaqësi e tekstit, tekst kënaqësie. Këto shprehje janë me dy kuptime. Sepse nuk ka fjalë të gjuhës frënge që të japë njëherësh kënaqësinë (përmbajtjen) dhe shijimin (emocionin). A nuk është kënaqësia një emocion i vogël? Emocioni, a nuk është në vetvete një kënaqësi e skajshme?" shkruan Roland Barthes në esen "Kënaqësia e tekstit". Në këtë ese të shkëlqyer Barhtesi bën një raport mes kënaqësisë së tekstit dhe institucionit të tekstit.
8.
Letërsia ka fuqinë të zbut dhe miklojnë zemrat e njerëzve. Letërsia riprodhon te kaluarën, kohët, librat, personazhet e saj pozitiv e negativ. Por letërsia edhe projekton një realitet imagjinar të së kaluarës, të së mundshmes, me një sens racional, të një realitet që është specifik. Ndërsa në anën tjetër, letërsia projekton të ardhmen, të cilën e kundron në një prizëm krejt të veçantë, me perceptimet e shpirti dhe imagjinatës. Në këtë qerthull të krijimit, teksti letrar krijon e riprodhon. Ai kthehet tek modeli pararendës, nga i cili asnjëherë nuk dëshiron të shkëputet, edhe pse gjithmonë tenton origjinalitetin. Pra, letërsia dialogun me autorë të ndryshëm, me modele kulturash, reflekton tragjiken dhe peripecitë e njeriut, përmes një mesazh specifik, mesazh ky që konstruktohet me elementet e së bukurës dhe figurativitetit të mendimit. Sikundër thoshte edhe Aristoteli, Historia tregon të njëjtat ngjarje shpeshherë sikurse letërsia, por nuk e arrit asnjëherë përmasën e saj. Ato janë fakte që krijojnë një regjistër ngjarjesh kronologjike pa asnjë asociacion ndjeshmërie, emocioni, invencioni. Dhe këndej pari lexohen si të tilla, përkundër librit të letërsisë i cili lexohet me afsh, pasion, emocione.
9.
Letërsia duke riprodhuar kohët rikthen klasikët. Kjo logjikë arsyeton faktin se shumë shkrimtarë me nam rikthejnë klasikët; Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin dhe Odisenë, ndërsa neoklasicizmi francez rikthen antikitetin greko-romak. Në këtë linjë të mendimit për librin dhe letërsinë dijetar i madh Roland Barthes shkruan për kënaqësinë e tekstit, për atë kënaqësi emocionale që shkakton teksti letrar, duke evidencuar tipologjitë e mundshme të kënaqësisë vë në spikamë aspektin psikanalitike, ngase "kënaqësia nuk është atribut, nuk është produkt, nuk është dukuri sociologjike. Kënaqësia e frazës është një ide kulturore. Kënaqësia e tekstit. Klasikët. Kulturë (sa më shumë kulturë të ketë në tekst, aq më e madhe do të jetë kënaqësia)". Kjo qasje vetëm sa hap temat dhe dilemat lidhur qëllimin e artit dhe vetë qenies së letërsisë.
10.
"Çka është letërsia", pse lexojmë letërsi, çka është ajo që e bën këtë fushë shpirtërore krejt të veçantë, edhe përkundër faktit se letërsia nuk ka ndonjë qëllim praktikë, sikur ta zëmë arkitektura. Pse ndjejmë kënaqësi kur lexojmë letërsi, qoftë edhe atëherë kur përmbajta e saj të jetë tejet tragjike, sikundër ta zëmë Hamletit. Pse edhe sot zhvillimeve marramendëse teknologjike, njerëzimi ndjen nevojë për letërsi. Janë këto një sërë pyetjesh që vazhdojnë të shtrohen e tërheqin vëmendjen e dijetarëve të shumtë të letërsisë. Janë këto pyetje e dilema sa të vjetra aq edhe të reja. Megjithë pikëpamjet e shumta ndonjëherë edhe kundërthënëse, letërsia vazhdon të jetë domeni i së bukurës, ku përthyhet historia e filozofia, religjioni dhe morali, e bukura dhe e shëmtuara, etj.
11.
Natyrisht, nëpër libra teorik për letërsinë gjenden shumë përgjigje të mundshme për pyetjen komplekse "Çka është letërsia", pastaj për natyrën e saj, si dhe funksionin e përmasat e saj. Përgjigjet në nivel sprovash, tezash e teorish japin shumë shpjegime teorike e semantike për përmasën shumëdimensionale që ka qenia e letërsisë. Ato përpiqen të sintetizojnë mendime dhe empiri për të dhënë orientime të caktuara. Rezultat i këtyre përplasjeve, në mendimin për letërsinë dhe vet letërsinë, janë zhvilluar shumë shkolla dhe formacione letrare. Kjo vetëm vë në spikamë "mospërputhshmërinë" e ideve dhe mendimeve për letërsinë dhe njëherit thellon "enigmën" për këtë fushë superiore që e quajmë letërsi. Njëra nga përgjigjet interesante dhe gjithherë aktuale është se letërsia është dialog, një dialog ku gjenerata të reja shkrimtarësh reagojnë dhe përgjigjen për të tjerët kolegë shkrimtar, lidhur me kuptimet për botën dhe njerëzit në kohë të ndryshme e realitet të ndryshme, duke sfiduar kështu kohët dhe harresën. Megjithatë letërsia nuk është histori, por pasqyron historinë përmes asociacionit të ndjenjave dhe gjuhës së figurshme. Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin dhe Odisenë, ndërsa ta zëmë, Kadare në kohën tonë rikthen Homerin dhe Kalin e Trojës në romanin "Përbindëshi". Pse ndodh kjo? Kjo lojë letrare është quajtur nga njëherë si intertekstualitet, nocion ky që mbulon përmasa semantike e estetike të tekstit, paratekstit, hipertekstit dhe kontekstit si dhe diskursit. Kjo domethënë se tekstet letrare, të poezisë apo prozës komunikojnë me tekste tjera, marrin e japin në mënyrë reciproke. Pra, në njëfarë forme kjo vetëpërkufizon letërsinë si dialog, një dialog aktiv me sferat e së cilës janë shpirtërore. Nevoja që të krijosh është një ndër ndjesitë bazë humane shkruan shkrimtari Paulo Auster (Pol Oster), për të shtuar se çfarë qëllimi i shërben arti, në veçanti arti i fiksionit, asaj që e quajmë botë reale? -përpos lumturimit dhe fisnikërimit të shpirti njerëzor përmes artit të së bukurës. Ngase janë krijuesit ata që përmbushin boshllëqet e botës. Prandaj, në këtë kontekst poeti bashkëkohorë Gjekë Marinaj ia shton krijimit Hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditët e krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotënia e universumit, apo: "Engjëjt të zbresin nga parajsa/ e të bëhen poetë"
 

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar