Ndue Ukaj

Ndue Ukaj
Ithaca of the word-Perkthyer nga Peter Tase

Proze


Njohja
(Tregim)
 
Ndue Ukaj
Përgjërimi im kishte marr fund.
 Sa qelë e mbyll sytë, unë humba toruan dhe rashë në tundim të syve të përgjumur të gruas që ecte trotuareve të qytetit, më shikim e humbur, pamje kjo që krijonte pandehmën e parë: ajo ishte një grua e vetmuar e cila kërkonte, kërkonte vazhdimisht diçka që zakonisht se gjente dot. Këtë pandehmë timen e sforconte dukja e saj, shikimi i thellë dhe lëvizjet e kokës në mënyrë tejet elastike. Thash me vete, do jetë një nga ato gratë që gjithmonë në jetë vetëm kërkojnë, e kurrë asgjë nuk gjejnë nga ajo që kërkojnë, dhe një ditë, vetëm kur të mplakën, marrin uratat dhe nënshtrojnë gjunjët para Virgjrës Mari, duke u përgjëruar për t’ua falur mëkatet.  
Qysh sot, ca minuta para së dielës në Kishë, i dhashë fund edhe lidhjes me Anitën. Njëherë isha përbetuar, madje këtë përbetim e kisha bërë edhe në mesin e miqve të mijë piktorë, se e fundit dashnore, me të cilën do lakuriqësoja trupat pa fije turpi, do jetë italiania flokëshprishur, me të cilën u ndava pa asnjë ndjenjë dashurie. Për çudi, ajo më vonë mbeti diç më shumë se dashuriçkat e panumërta në mendjen time.
Frederik- më pat thënë atëherë me italishten e bukur, duke e përthyer me një shqipe përplot muzikalitet, të dua.
Unë, as për mendjemadhësi, as për jo mirësjellje, madje as për mungesë dashurie, nuk ja ktheva, por vetëm i thash, do të duash edhe të tjerë, ashtu si mua tash.
Asaj i rrekën një currë lotësh për faqe. Nguli shikimin në dhe, dënesi thellë, nga ato dënesje që në trajtën më të bukur i dëgjoja në shtrat, apo vende tjera ku bënim dashuri me orë të tëra, siç qeshnim shpesh, binim në gjumë të dashurisë. Unë ja putha faqet e përlotura, por pa fije dhimbje.
Unë nuk do lakuriqësohem me askënd pas teje- më tha prapë me tinguj të vrarë e shikim që lejonte të lexohej një pikëllim i tmerrshëm që përshkonte fytyrën e saj të bukur. Kësaj herë italishtja e saj, çalojë shumë. I fundit që ke bërë piktura në trupin tim, mu pat drejtuar, duke e ngritur tonin e zanoreve aq kumbuese, je ti, dhe tash që po më krijon një zgafelle në jetë, më duhet të pres fundin, atë fundin të cilin e presim gjithë, duke të kujtuar ty.
Unë jam piktorë, që rrugët e gjata deri tek lakuriqësia i shndërroj në eksperimente vizuale, prapa së cilave lundroj në botën e çudirave të grave, aty ku shtatë qiejt luftojnë ashpër me prapështuesit e përbaltësuesit e artit-iu përgjigja dhe kuptova se bëra një filozofizëm të tepruar. Madje, edhe unë para se të dashurohem me ty, jam përbetuar për Zot e tokë se e fundit që do lakuriqësohem me një femër do jetë dashnorja që kisha para teje.
Pa e zgjatur më shumë, e putha në faqe dhe i dhashë një dhuratë të çmuar si kujtim të fundit.
Ajo e hapi ngadalë: një pikturë nudo! U step dhe si e trishtuar u përplas në mua.
Piktura i ngjante një vullkani, nga i cili dilte një zjarr krejt flakë ari, i cili e kishte të mbërthyer gruan prej pjesëve më intime e poshtë. Vithet e saj i si grykë vullkani, mbi të cilin rrinin qëndrueshëm gjinjtë, si dy maja malesh magjepse, aq të pamundura për t’i shijuar në tërësi. Ato kishin marr trajtën e dy yjeve ndriçues. E vështroj gjatë dhe me sy të ënjtur nga lotët, iku nga unë, pa më thënë asnjë fjalë.
Italiania flokëshprishur, edhe disa herë erdhi në atelienë time, deri sa një ditë u zhduk përgjithmonë.
Nejse, s’di përse mu përplas ky kujtim bash në këtë moment. Gruaja e cila ecte para meje, edhe pas disa minutash, u përbirua rrugëve duke luajtur trupin e saj elastik, ashtu siç ishin rrugët e përdredhura tek ne. Unë e përcillësha pa vetëdije. Ajo dukej se ecte po me ato ritme, me të cilin mu përplas në sy, sikur tek kërkonte diçka çmueshme, por të humbur.
Pas i dhashë fund lidhjes me Anitën, thash me vete, do e shkeli edhe njëherë përbetimin dhe do i ofrohem. Kishte të veshur fund të kaltër, me një bluzë të tejdukshme në të bardh të shndritshëm, që e bënin të dukej vërtetë zonjë e rënd, nga ato që përshëndetjet me meshkuj i bëjnë më zgjatje për puthje dorësh. Pjesët e dukshme të turpit i shkëlqenin fortë dhe e bënin tej mase sfiduese. Ajo lente përshtypjen e atyre grave të epshme për dashuri.

Më fal zonjë, mos ju ka humbur diçka, më dukeni se ecnin e dalldisur, sikur diçka e çmueshme të ketë rrëshqitur nga dora e juaj. Vërtetë më falni që ju drejtohem kështu, por, më keni krijuar këtë përshtypje, prandaj, dëshiroj të dëgjojë nga goja e jote e ëmbël, nëse nuk është e vërtetë, nëse sytë e mijë gënjehen lehtë dhe unë turullasem pas grave të bukura. Dhe pastaj do shporrem nga ti shpejt, më beso, do të zhdukem si era.
Ajo, vetëm më shikoj, me një buzëqeshje enigmatike. Sytë mi nguli thellë, aq sa më ngjalli frikë e lemeri përnjëherë. Por, përnjëherë ata sy të kaltër, u zbutën, shkëlqyen nga disa rreze të brendshme, dhe shpejt u shpërndan nëpër turpin tim. Ajo më shikonte, sikur atë që kisha përshtypje se e kishte humbur, tash e kërkonte në mua, në trupin tim, të cilin, sa herë u pata përberë se nuk do ta lakuriqësoj me asnjë femër më.
Unë gjithmonë kërkoj, sepse vetëm kështu jetoj. Nëse vetëm një ditë nuk do të kërkoja, sigurisht do vdisja. Kërkimi për mua është sikur ajri, pra të jetoj. Por, ja që njeri shpeshherë gjatë kërkimit gjen gjera që s’duhet, apo, të them më  troç, takohet me gjera që e tundojnë, pastaj e zhgënjejnë, pastaj e pikëllojnë. Unë jam nga ato gra që kam kërkuar shumë për dashurinë, por asnjëherë nuk e kam gjet. Prandaj, jam lëshuar në krahët e kërkimit, duke nuhatur në botë copëza malli, dashurie, me çka nuk ngopem dot, dhe për të cilën jam në gjendje të kërkoj pa lodhje ditë e net, madje edhe nëse nuk do ta gjeje deri në frymën e fundit.
 Është rrugë e gjatë për të ardhur deri tek lumturia, mbase kjo nuk arrihet lehtë-më tha me një mbretësi, e cila shprehte një përvojë për atë që fliste, ndërsa shikimin si shigjeta se ndalte aspak nëpër trupin tim.
Unë mbeta i shtangur para trupit të saj e syve magjeps.
Gruaja sa vinte ngulte sytë thellë e më thellë në mua, sikur lexonte gjitha të fshehtat e mija, i shikonte ato nga thellësia, ngopte sytë më pjesët e mia intime, madje më seksin tim, i cili, tash ishte trazuar dhe nuk zinte vend para trupit ta saj epshor.
Ke trup epshor-i thash, më shumë më dëshirën që të lë temën e kërkimit, se sa për t’i dhënë një kompliment, të cilin edhe ashtu e meritonte, por nga i cili, të them të drejtën u frikësova. Doja që ky fillim ngacmues të merrte kahe tjetër.
Më fal, nuk të thash emrin, unë quhem Frederik, ndërhyra me një ton krejt të pamatur.
Sa e këndshëm-mu përgjigj. Kam njohur një djalë, isha atëherë e re, quhej Fredi, atëherë unë studioja, në duart e tija u zhvirgjërova. Gruaja shkëputi sytë nga turpi im dhe u zhyt në krahët e mallëngjimit.
O zot, çfarë komunikimi i pazakonshëm, thash me vete. Ishte hera e parë që takoja një grua në trotuare dhe flisja për seksin, për zhvirgjërimin, për pasionet e dashurisë, ende pa u njohur, madje as emrin e saj.
Një puhizë e lehtë e aromës pranverore më përshkoj trupin tej për tej. Gruas ja luajti nga turpi veshjet. Nga brenda vërejta dy gjinj të bukur, të cilët qëllimshëm ishin lënë pak jashtë.
Si t’ia bëjë- thash me vete.
Mendime të çuditshme më vërsuleshin mbi kokë, por asnjë nuk arrija ta artikuloja që t’ia shprehja gruas që kishte mbetur e stepur para meje, tash në heshtje përvëluese e të cilën e dëshiroja aq shumë.
 Mund të më shoqërosh në atelienë time, e cila gjendet jo larg nga këtu-i thash me një zë që mu duk se erdh jo nga unë, por nga një zgafelle ku ruhen shpeshherë pasionet e fshehura. Ishte tamam nga ata zëra që ndodh të duken, edhe pse dalin nga vetja, të huaj.
Ajo, pa asnjë hezitim u nis krah meje.
Ecnim pa bërë ndonjë komunikim, përveç ndonjë prekje të herë pas hershme, si të rastësishme në krah; prekje që mua me cyte edhe më tutje drejtë aromës së gruas te cilës ende nuk ju ditsha emrin.
Pa u ofruar tek atelieja u humba, tamam ashtu sikur të ishte hera e parë që hyja brenda me një femër.
Hapa derën me qetësi elegante. Ajo vetëm nuhaste, e nganjëherë qante buzët e trasha duke krijuar një pamje të mrekullueshme në fytyrën e saj delikate, që sa vinte, për mua bëhej më engjëllore.
Shkëndija dashurie- më tha një zë nga brendësia, duke mos dashur të jetë aspak e vërtetë një tronditje e tillë, sapo i dhashë fundit lidhjes me Anitën.
Nuk munda t’i bëjë ballë kureshtjes që të mësoj se çfarë në të vërtetë kërkon-i thash deri sa zhurma e hapjes së derës i bëri fjalët e fundit vështirë të kuptueshme për gruan, e cila në vend të një përgjigje, së pari rrudhi krahët.
Pas pak sekondash, ashtu në heshtje përvëluese për mua, mu drejtua: s’të duket pak e çuditshme t’i kuptosh gjitha të fshehtat e një gruaje, të cilën sapo e kë takuar. Timbri i zërit të saj mori ca nuanca kritike, por dosido ruanin një ëmbëlsi.
Nuk jam kurvë- u shpreh beftë me zë të thekshëm, aq sa mua mu duk sa britma e saj depërtoj në lokalin përbri nesh, ku ishte një gazetë e madhe e vendit dhe ku gumëzhin silueta të gjithfarshme. Në të vërtetë më kapi një panik.
Ç’dreqin mu desh që hyra në këtë aventurë pa nevojë-mendoja me vete dhe u kredha për pak krahët e mendimeve, nga të cilat shpejt kuptova se s’mund të nxjerrja asnjë përfundim. Si të organizoj këtë vizitë- i thash vetës, do vazhdoj me ato tema të zjarrta për seksin apo reagimi i gruas, ishte parashenjë se nuk duhej futur lojërave intime, nga fakti i thjeshtë, sepse ajo nuk ishte kurvë dhe nuk dëshironte të trajtohej e tillë nga unë.
Çfarë domethënë kur një femër të thotë nuk jam kurvë- e kishte pyetur një mik poet, i njohur për zjarr seksi në poezitë e tij, vetëm disa vite më parë. Ndërsa unë, i cili asnjëherë në jetën time nuk i kam besuar dashurisë, nuk dija të bëja shumë dallime mes kategorive të femrave. Në fakt, gjitha për mua lidheshin me një pasion, edhe pse në të vërtetë kisha mëdyshje për këtë mendim.
Ç’kërkon tek unë, përpak sa nuk i bërtita gruas, për t’ia dhënë një të goditur në gjoksin e saj të fryrë, që sa shkonte më çmendte. Ajo sikur nuhati nervozen time me këtë situatë të papritur dhe mu drejtua:
Të thash se kërkoj, kërkoj vazhdimisht, por nuk jam e përdalë. Lumturia kërkohet çdo kund, në çdo cep rrugë, në çdo vendimtar, madje pse jo edhe në çdo kalimtar, andaj edhe në ty kërkova diçka, por mos me pandeh për të përdalë, edhe nëse unë pranë këtyre pikturave tuaja nudo mund të zhvishesha, të hidhesha si një përbindëshe mbi trupin tënd, të thithsha çdo cep të trupit tënd, assesi mos më pandeh për të përdalë, sepse kurvat janë vetëm shpikje pabesish, të  burrave të cilët s’kuptojnë gjë nga thesaret e lumturisë së femrës.  
Duhma e pikturave s’kishte sesi mos ta ngashënjente edhe më, në pasionin e tij, i cili sa vinte përndizej. Por, as gruaja aspak nuk arriti t’i ikte ngashënjimit.     
Askush s’mund të besonte se në fund të katrahurës së vetmisë, ashtu sikurse në fund të territ përbindësh, vetëm një xixë mund të triumfoj. Ishte kjo shkëndija që pushtoj errësirën, apo e fshehtësia e thellësive të lumturisë, mrekullia e gjitha mrekullive të kësaj bote që godet kur më së paku e pret.
Në këtë moment, sikur nga qielli iu kujtua një frazë romani, “Unë s’po jetoj as në të kaluarën as në të ardhmen time. Kam vetëm të tashmen, e unë këtë e dua”.
Pasi pëshpërita diçka të pakuptimtë me vete, rashë në krahët e mejtimeve, pas viteve të shumta që nuk besova në dashuri, papritur fillova të mos shoh asgjë tjetër përpos gruas që qëndronte përball meje, së cilës as emrin nuk ja dija. Çuditsha me këtë skenë, madje çudirat e mia shkonin deri tek një ankth. Por ja që më tërhiqte, si magnet, doja vetëm fytyrën e saj ta shikoja, ta ndjeja, të përjetoja ta puthesha fortë, të flija në gjoksin e saj e pastaj në të thithsha lëngun për penën time të ndryshkur, për të bërë një pikturë me zjarrin e dashurisë.
Në të vërtetë thellësia e fshehtësisë së dashurisë është në përtejshmërinë e gjërave të kota; shtrihesh sikur nën rrezet e diellit veror dhe lejon depërtimin e tyre në gjithë trupin, ashtu unë dëshiroja të kredhsha në mrekullitë e trupit të gruas dhe në çdo cep të ndjej frymëmarrjen e aromës së saj.
Kishin kaluar ca minuta të përhumbjes sime. Gruaja ishte ulur në cepin e pasme të ateliesë dhe shikonte e hutuar një mori pikturash të varura gjithkah nëpër mur. Ju ofrova ngadalë. Pa menduar gjë, dora ime u përhumb në flokët e saj të përdredhura supit të saj të butë dhe sa qelë e mshelë sytë ndjeva një të nxehtë në gojën time, gruaja së cilës ende nuk ja kisha mësuar ende emrin dhe pas së cilës u dashurova sikur një adoleshent, mu hodh në një përqafim të fortë. Duart e saja lëviznin nëpër trupin tim më mjeshtëri, ndërsa unë sikur në ëndërr puthesha gojën e saj të nxehtë, ndjeja aromën e magjishme të saj dhe në gjoksin tim ndjeja të rrahurat si qenkan, që vinin nga trupi i saj i zhveshur tërësisht. Kisha harruar fare se dera e ateliesë ishte e hapur, kur pash vetën të lakuriqësuar dhe dy këmbët e saja të përthyera me mjeshtri e elegancë mbi mua.





Inga kommentarer:

Skicka en kommentar